Aktivitet Trajnues: “Komunikimi Institucional i Magjistratit”

Shkolla e Magjistraturës, më datë 15 dhe 16 tetor 2024, zhvillon me grupe të ndryshme pjesëmarrësish aktivitetin trajnues me temë: “Komunikimi institucional i magjistratit”, pranë ambienteve të Shkollës së Magjistraturës.

Ky aktivitet drejtohet nga: 

Ekspertë: Ledina Riza dhe Ridvan Hado

Lehtësues: Armando Bora

Qëllimi i këtij trajnimi është: Të synohet të rritet standardi dhe të përsoset komunikimi institucional i magjistratëve, si një element kyç e shumë i rëndësishëm në procesin ligjor, duke siguruar që drejtësia të kryhet në mënyrë efektive dhe të drejtë si dhe të përçojë perceptim të drejtë e pozitiv për sistemin e drejtësisë në sytë e publikut.

Trajnimi do të fokusohet në një analizë të komunikimit institucional të magjistratit, duke iu referuar rregullimeve ligjore, dhe rasteve të hasura në praktikë dhe do të realizohet duke ndërthurur prezantimet me diskutimin e çështjeve të shtruara (pyetjeve vetë studimorë- pyetje përgjigje) dhe ushtrimeve me raste dhe kazuse praktike & kuize.

Gjatë këtij aktiviteti trajnues do të trajtohen tema të ndryshme, si: 

  • Komunikimi si procesi i shkëmbimit të informacionit përmes një sistemi të përbashkët simbolesh. Komunikimi si element kyç për një proces ligjor të drejtë dhe efektiv. Komunikimi i magjistratit në mjediset e gjykatës dhe prokurorisë, 
  • Komunikimi i suksesshëm verbal me përdorimin e fjalëve të duhura në mënyrën e duhur dhe në kohën e duhur. Komunikimi verbal i magjistratit në mjediset e gjykatës dhe prokurorisë. Rëndësia e përmbushjes së disa kërkesave të komunikimit verbal të magjistratit si: Komunikimi në mënyrën e duhur dhe të drejtë, shkurt dhe qartë; Përdorimi i gjuhës së përshtatshme dhe profesionale; Menaxhimi i konflikteve;  Sigurimi i dhënies së drejtësisë
  • Komunikimi jo verbal si komunikim pa fjalë dhe si përcjellje e një mesazhi duke përdorur sinjale jo verbale dhe pa shenja verbale. Komunikimi jo verbal i magjistratit në mjediset e gjykatës dhe prokurorisë, si ndihmë në të përforcuarit e fjalëve dhe argumenteve në një mënyrë më të fuqishme dhe të qartë dhe si ndikim në ndërgjegjësimin dhe kuptimin e përfaqësuesve të drejtësisë me njëri-tjetrin si dhe me të tretët. Përdorimi i duhur i disa elementeve të komunikimit jo verbal si: Gjestikulimi; Ekspresioni fytyrës; Kontakti i syve; Pozicioni i trupit; Gjendja emocionale".

Në këtë aktivitet trajnues janë ftuar të marrin pjesë kandidatë për magjistratë të vitit të tretë, gjyqtarë dhe prokurorë të Republikës së Shqipërisë.